Më 17 dhe 18 maj 2025, në ambientet e Kolegjit Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë” (CIT), u zhvillua konferenca Tirana Model UN (TMUN) — një nismë e drejtuar nga të rinj për të rinjtë, me mbështetjen e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) dhe CIT.
Konferenca mblodhi së bashku studentë nga shkolla dhe institucione të ndryshme, të bashkuar nga pasioni për diplomacinë, çështjet globale dhe përfaqësimin ndërkombëtar. Me temën qendrore “E Ardhmja e Inteligjencës Artificiale në Diplomaci”, delegatët punuan në dy komitete kryesore: DISEC dhe UNESCO, duke analizuar sfidat dhe mundësitë që inteligjenca artificiale sjell në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nisma për organizimin e TMUN u iniciua dhe u drejtua nga Kaltrina, Sekretare e Përgjithshme e konferencës dhe themeluese e rrjetit “Model UN Tirana”, së bashku me një sekretariat të jashtëzakonshëm: Resiliani, Keiti, Arba, Megi, Kamela, si dhe drejtuesit e komiteteve: Ema, Marsia, Aidan, Erik dhe David.
Në këtë konferencë morën pjesë 48 delegatë, të ndarë në dy komitete, nën mbikëqyrjen akademike të Znj. Albana Idrizi, pedagoge pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin leksione frymëzuese nga:
• Dr. Shpresa Kureta, ish-ambasadore e Shqipërisë në Austri, Ukrainë, Letoni, Lituani, Estoni dhe Poloni.
•Assoc. Prof. Abdusalam Alkholidi, pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë dhe kërkues shkencor në CIT.
Mesazhe përshëndetëse u përcollën në ceremoninë e hapjes nga Prof. Dr. Nevila Nika, Drejtoreshë e IETT, dhe Prof. Dr. Manuela Meçe, Zv. Rektore e CIT.
Gjatë dy ditëve intensive, të rinjtë zhvilluan aftësi të vyera në debat diplomatik, të folur në publik, negocim ndërkombëtar dhe të menduar kritik, përvoja thelbësore për formimin e tyre profesional dhe qytetar.
Konferenca shënoi gjithashtu themelimin e “Model UN Tirana”, një rrjet i pavarur dhe i udhëhequr nga të rinjtë, me synimin për të organizuar konferenca të tjera të ngjashme dhe aktivitete diplomatike që fuqizojnë rininë shqiptare.
Në përfundim të konferencës, të gjithë delegatëve iu shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje, si një vlerësim për përfshirjen e tyre aktive. Gjithashtu, u ndanë çmime në këto kategori:
• 2 çmime “Best Delegate”
• 2 çmime “Outstanding Delegate”
• 2 çmime “Honourable Mention”
TMUN 2025 dëshmoi se, kur të rinjtë mbështeten dhe fuqizohen, ata janë të aftë të ndërtojnë platforma me ndikim të vërtetë në shoqëri.
































