
Prof. Dr. Nevila Nika – Kryetare e Bordit Drejtues në Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Prof. Nika ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën Histori. Ajo ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme si: Specialiste arkiviste në Sektorin e dokumenteve të periudhës së Mesjetës deri në vitin 1912, Shefe e Sektorit të dokumenteve të periudhës 1912-1944, Drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë dhe Shefe e Sektorit të Kontrollit të Cilësisë. Nga tetori 2005 deri në tetor 2013 ka mbajtur postin e Drejtores së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2014 ka punuar si Drejtore e Shërbimit të Botimeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Prej marsit 2015 është pjesë e stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës. Gjatë veprimtarisë së saj si historiane e arkiviste ka spikatur kontributi i veçantë në drejtim të formimit të arkivistëve, si edhe të informimit të komunitetit të kërkuesve e të opinionit publik rreth thesarit dokumentar të Arkivit Shqiptar.

Prof. Dr. Ramiz Zekaj – Anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, si dhe kryeredaktor i revistës shkencore-kulturore “Univers”. Ai është themelues dhe anëtar bordi i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC). Ka studiuar Orientalistikë në Fakultetin e Filozofisë, Prishtinë. Më pas ka kryer Institutin e Gjuhëve të Huaja në Medinë (dega Gjuhë Arabe), ku më vonë kreu edhe studimet e larta për Jurisprudencë Islame. Në vitin 1994 është laureuar me gradën “Doktor i Shkencave” në fushën e Historisë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ka mbajtur leksione në disa universitete e qendra kërkimore, si në Vjenë, Novi Pazar, Sarajevë etj. Gjatë viteve 2016-2019 ka qenë pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, për lëndën: “Zhvillimi i kulturës islame në Ballkan”. Për më shumë se 20 vjet drejtoi AIITC, me një vizion të qartë e modern. Është autor i një sërë botimesh e artikujsh shkencorë në fusha të ndryshme si edhe anëtar i shumë organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. Dr. Valter Shtylla – Anëtar i Bordit Drejtues në Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti i Tiranës. Në vitin 1995 është diplomuar me gradën “Profesor Doktor”. Ai është njohës i katër gjuhëve të huaja: Italisht, Rusisht, Frëngjisht dhe Serbo-Kroatisht. Ka qenë pjesëmarrës në një sërë konferencash kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është autor i disa botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit. Prof. Dr. Valter Shtylla ka përvojë pune të larmishme në sektorin e trashëgimisë kulturore si: Punonjës Shkencor në Sektorin e Monumenteve Antiko-Mesjetare, Drejtor i Degës së Monumenteve në Tiranë në vitet 1974-1977, Shef i Sektorit të Monumenteve Antiko-Mesjetare në vitet 1980-1992, Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 1992-1998, Shef i Sektorit të Monumenteve Antiko-Mesjetare në vitet 2003-2007, Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 2008-2010. Gjithashtu, në periudhën e viteve 2000-2012 ka qenë President i Komitetit Kombëtar të ICOMOS.

Z. Buron KACELI – Anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 1970 në Akademinë e Arteve, dega Pikturë. Disa prej veprave të tij artistike ruhen ne fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Disa të tjera ndodhen ne institucione shtetërore të vendit ose janë pjesë e koleksioneve private, brenda dhe jashtë vendit. Ka eksperiencë profesionale të larmishme në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Institutin e Monumenteve te Kulturës, në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, në Bashkinë Tiranë si Zv/Kryetar i Bashkisë dhe në vitet 2000 – 2003 si Këshilltar Bashkiak. Ai është autor i disa ekspozitave personale në: Pallatin e Kulturës (Tiranë), Sallonin e Artit (Shkodër), Pallatin e Kulturës (Durrës) etj., si edhe është bashkëautor i disa ekspozitave kolektive në: Beograd, ish-Jugosllavi “Tokë Shqiptare” (GKA), Ekspozitë në Prishtinë, Kosovë “Tokë Shqiptare” (GKA), Ekspozita në Paris, Francë “Aksion” (GKA) etj., Ekspozitë e përbashkët me artistë italianë dhe shqiptarë në Molini, Itali (Fitues i Çmimit të Kritikës), pjesëmarrës në ekspozitat vjetore të Grupit “Nëndor”, Ekspozitë në Galerinë “Kaceli”.

Z. Kujtim MORINA – Anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Matematikë (1994), në Universitetin e Shkodrës për Juridik (2004) si dhe Master për Studime Evropiane në Universitetin e Grazit, Austri (2008). Nga viti 1999-2009, ka punuar me UNHCR, CARE dhe OSBE në Kukës. Në maj 2009, i është bashkuar shërbimit diplomatik shqiptar. Deri në mars 2013, ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Drejtorinë e Evropës, Drejtorinë e Amerikave dhe në Drejtorinë e Diplomacisë Publike. Në periudhën Mars 2013 – Prill 2016 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit. Në Maj 2016 rikthehet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku aktualisht është pjesë e Departamentit të Diplomacisë Ekonomike. Është njohës i gjuhës angleze dhe ka njohuri të mira në gjuhët frënge dhe arabe. Është autor i dy librave me poezi: “Dehja nën mjegull” botuar në vitin 2007, “Kthimi i syve” botuar në vitin 2010 dhe autor i librit me tregime “Herën tjetër”, gjithashtu është perkthyes i disa veprave letrare.

Anisa HYKAJ – Drejtore Ekzekutive e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT). Ka lindur në Tiranë dhe rrjedh nga një familje patriotike shqiptare e përkushtuar në çështjet kombëtare që nga pavarësia e Shqipërisë e në vazhdim. Edukimi i saj fillon në Tiranë për të vazhduar më tej studimet në Londër, Mbretëri e Bashkuar. Në vitin 2003 përfundon me sukses gjuhën angleze dhe certifikohet nga Universiteti i Kembrixhit. Në 2006 përfundon studimet për “Multimedia Design and Communication”, në Kolegjin Universitar “Williams”, Londër. Pas kthimit në Shqipëri, në vitet 2013-2019 ka punuar si përgjegjëse e departamentit të komunikimit elektronik në Institutin AIITC, Tiranë. Paralelisht ka mbajtur pozicionin e koordinatores për marrëdhëniet me jashtë, të konferencave ndërkombëtare dhe kombëtare. Gjatë viteve 2014-2020 ka mbajtur pozicionin e koordinatores së revistës shkencore – kulturore “Univers”. Prej shtatorit 2019 ajo punon si koordinatore e IETT, ku synon të japë ndihmesën e saj në ruajtjen dhe njohjen e trashëgimisë sonë kombëtare si edhe të promovimit të turizmit shqiptar kudo në botë. Është anëtare e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM), Interpret Europe dhe European Cultural Tourism Network, ECTN.

Megi BELESHKO – Asistente Administrative pranë Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT). Ajo mban një Master Shkencor në Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik, duke ndërtuar një profil të qëndrueshëm akademik dhe profesional në fushat e komunikimit, kulturës dhe turizmit.
Në IETT, Megi luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen dhe koordinimin e projekteve dhe iniciativave të institutit, veçanërisht atyre që fokusohen në përfshirjen dhe fuqizimin e të rinjve. Ajo ka shërbyer gjithashtu si Head of Logistics në TMUN 2025, ku ka udhëhequr me sukses organizimin dhe koordinimin logjistik të një prej aktiviteteve më të rëndësishme rinore me fokus në diplomaci dhe lidership.
Me një përvojë të konsoliduar në asistencë administrative, koordinim dhe menaxhim logjistik, ajo kontribuon në funksionimin e përditshëm të institutit, duke garantuar organizim efikas, komunikim të qartë dhe realizim të suksesshëm të aktiviteteve në kontekste arsimore dhe institucionale.
Përveç kësaj, Megi ka prezantuar dhe moderuar forume dhe konferenca të ndryshme në fushën e rinisë dhe turizmit, duke nxitur dialogun, rrjetëzimin dhe shkëmbimin e ideve mes të rinjve dhe profesionistëve.
Ajo zotëron gjithashtu certifikime në AI tools, turizëm, internship-e profesionale dhe menaxhim të mediave sociale, të cilat e bëjnë profilin e saj të përshtatshëm për një mjedis modern, dinamik dhe të orientuar drejt inovacionit.

Inesa SULAJ – Këshilltare e IETT në fushën e trashëgimisë dhe turizmit. Ajo është diplomuar në nivelin bachelor në Arkeologji dhe Menaxhim të Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës dhe ka kryer studimet e nivelit master në Projektim Urban dhe Peizazh në Universitetin Polis. Prej më shumë se 8 vitesh punon në sektorin publik dhe privat në Shqipëri, Ballkan dhe Mbretërinë e Bashkuar. Inesa e filloi karrierën e saj në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, ku punoi në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeologjisë; dhe më pas ka punuar me USAID-in, projektet e Ambasadës së SHBA-së në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe si konsulente për projekte të ndryshme në Shqipëri. Gjatë vitit 2021 Inesa i është bashkuar skuadrës së Galerisë Kombëtare të Arteve si Eksperte Edukimi dhe në fund të këtij viti fitoi të drejtën e studimeve nëpërmjet programit Chevening, ku ndoqi masterin e dytë në Studimet Muzeale, në Universitetin Leicester, Mbretëri e Bashkuar. Gjatë kësaj kohe Inesa punoi si Eksperte Edukimi në Attenborough Arts Center, si dhe në Qendrën e Vizitorëve të Mbretit Richard III në Leicester City. Inesa është gjithashtu bashkëthemeluese e MuZEH Lab me qendër në Durrës, anëtare e Rrjetit Ballkanik të Muzeve, Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) dhe Interpret Europe.

Alma MULAJ – Ekonomiste në Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka kryer studimet e nivelit Bachelor në degën Financë – Kontabilitet pranë Kolegjit Universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë, CIT. Krahas studimeve dhe punës ka marrë pjesë në trajnime, seminare dhe projekte të ndryshme në fushën e ekonomisë dhe financës. Ka njohuri shumë të mira në Financa 5, si edhe në programe të fushës së IT-së. Alma zotëron një nivel të avancuar të gjuhës angleze dhe gjermane. Fushat e saj të interesit janë ekonomia, financa dhe sistemet bankare.

Muhamedali KURA – Përgjegjës i Qendrës së Inovacionit, Kërkimit dhe Zhvillimit pranë Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Është i specializuar si inxhinier programues dhe data architect. Ka përfunduar studimet Bachelor në “Software Engineering” pranë Institutit Kanadez të Teknologjisë, si dhe studimet MSc në “Computer Engineering – Big Data”. Krahas studimeve dhe punës, ka marrë pjesë në trajnime dhe projekte të ndryshme në fushën e Data Analysis dhe Machine Learning, si një inovacion i rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën.



















