Për t’u thelluar në raportin e lashtë të njeriut me artin, si dhe ndikimin e këtij raporti në historinë njerëzore, Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, IETT, në bashkëpunim me të rinjtë e Klubit të Artit në Kolegjin Universitar “Canadian Institute of Technology”, CIT, organizoi një takim me Iris Canaj, drejtuese e “DoArt” dhe pedagoge në Universitetin e Arteve.
Në fillim të takimit zj. Canaj solli të dhëna mbi teatrin dhe kategoritë e tij. Kureshtja e studentëve na çoi shekuj pas në kohë përmes diskutimeve rreth mënyrës si një aktor dikur dëgjohej nga njëzet mijë shikues edhe pse nuk kishin zërim, apo se si mundësohej ndriçimi i ambienteve ku në kohët antike realizoheshin shfaqjet.
Një nga simbolet kryesore të artit shqiptar që u shqyrtua në kumtesë është “Radio Tirana”, e cila njihet si radioja e parë shqiptare dhe njëkohësisht radioja e tretë në Europë, gjithashtu u prezantua puna e palodhshme e artistëve shqiptarë për ta ruajtur këtë monument të rëndësishëm kulturor.
Sigurisht që arma më e fortë me të cilën lufton një artist është arti. Në këtë takim ne u njohëm me ‘Festivalin e artistëve në rrugë’, i cili përmes formave të ndryshme të artit përçoi mesazhin e tij në vende të ndryshme të Tiranës.
E gjithë përpjekja për realizimin e këtij festivali tregoi se përmes artit mund të arrihen ndryshime pa dëmtuar askënd dhe asgjë, sepse askush nuk mund të përmirësojë duke shkatërruar.