Butrinti u shpall vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1992 dhe kryeson çdo listë të atraksioneve ndërkombëtare që duhen parë në Shqipëri. Rrënojat e tij 2500-vjeçare brenda një parku madhështor të gjelbër e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë.

Parku Kombëtar i Butrintit përfshin një diversitet natyror,  gjysmë natyror dhe habitate artificiale si: këneta me ujë të freskët, kallamishte, pyje dhe makje mesdhetare, fusha të mbjella, taraca me pemë frutore, po ashtu edhe ujëra bregdetar me brigje ranore dhe shkëmbore, toka të hapura etj. Këto habitate strehojnë një diversitet të madh kafshësh dhe bimësh, përfshirë këtu dhe ato me rëndësi kombëtare dhe globale, gjë që e bën Butrintin një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri.

Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet nga tempujt helenikë në shek. IV para Kr. deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX.

Teatri i shekullit të III-të para Krishtit, Tempullit i Eskulapit (shek I – II), perëndisë antike të shëndetit, dhe mozaiku me 69 medaljone kishtare janë vetëm tri prej kryeveprave të Butrintit. Liqeni i Butrintit, kanali i Vivarit, që lidh luginën e Butrintit me detin Jon, Kalaja trekëndore e ndërtuar aty pranë, si dhe pyjet e dendura që veshin gjithë peizazhin janë disa nga arsyet pse Buthrotum-i i lashtë përmendet në poemën epike të Virgjil-it, Eneidi.