Baku, Azerbaxhan 2,3 maj 2019
Forumi i pestë botëror për dialog ndërkulturor nën moton “Ndërtimi i dialogut te drejtpërdrejtë kundër nënvlerësimit, pabarazisë dhe konfliktit të dhunshëm” u mbajt në datat 2 dhe 3 maj në Baku, Azerbaxhan. Ky forum u organizua nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës së Azerbaxhanit, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë, dhe Kulturë (UNESCO), Aleancën Qytetare të Kombeve të Bashkuara, Organizatën Botërore të Turizmit, Këshillin e Europës, Organizatën Islamike për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO), Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe Qendra Veri-Jug e Këshillit të Europës.
Pjesëmarrës ishin zyrtarë të lartë nga 105 vende dhe 35 organizata ndërkombëtare si, krerë të qeverive, ministra, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, profesionistë kulturorë, ambasadorë, ekspertë, gazetarë, intelektualë dhe aktivistë të shquar etj.
Qëllimi i këtij forumi ishte promovimi i dialogut ndërkulturor dhe vetëdijes njerëzore për të përgatitur një udhërrëfyes të përbashkët për organizatat që përfaqësojnë sektorët publikë, privatë dhe të tjerë, për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, për formimin e partneriteteve midis organizatave politike, ekonomike, financiare, ushtarake, humanitare dhe shoqërore. Kjo platformë ndërkombëtare i jep mundësi dhe nxit shtetet dhe organizatat për të hedhur hapa konkret në mbështetje të shumëllojshmërisë etnike, bashkëbisedimeve të ndërsjellta si themele bazë për paqe të qëndrueshme dhe zhvillim gjithpërfshirës.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, IETT, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, që mban njëkohësisht edhe postin e përgjegjësit të medias në Këshillin e Lartë për Kulturë, Shkencë dhe Edukim, ISESCO. Në kuadër të temës “Ndërtimi i dialogut te drejtpërdrejtë kundër nënvlerësimit, pabarazisë dhe konfliktit të dhunshëm”, Prof. Zekaj nëpërmjet prezantimit të tij, i paraqiti pjesëmarrësve përvojën e Shqipërisë e Ballkanit, si dhe hapat që po ndërmerren në këtë drejtim nga organizata të ndryshme jo qeveritare, institute, universitete etj. Ai theksoi rëndësinë që ka dialogu ndërkulturor në shoqëri, i cili shërben si një instrument për të adresuar disa nga sfidat e ngutshme të kohës sonë, përfshirë diskriminimin e pabarazitë në rritje si dhe konfliktin e dhunshëm gjithnjë e më të përhapur. Ndalimi i Islamofobisë, eliminimi i steriotipeve dhe menaxhimi i burimeve njerëzore të ndërlikuara nëpërmjet trainimeve ndërfetare ishte pjesë tryezës që zhvilloi Këshilli i Lartë për Kulturë, Shkencë dhe Edukim, ISESCO ditën e parë të forumit.