Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky vend muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. E kur jemi te vlerat themi se simboli kryesor i qytetit është Kalaja.
Kalaja e Gjirokastrës është e lidhur ngusht me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.
Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.
Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. E në fund të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian. E pranë murëve, në pjesën ku qëndron aeropalani shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve gjetkë.
Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota. Tash e një kohë, në Kalanë e Gjirokastrës zhvillohet festivali madhështor Folklorik Kombëtar ku, çdo katër vjet, mblidhen këngëtarët më të shquar të vendit e këndojnë këngët tradicionale shqiptare.