Kalaja e Petrelës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në juglindje të fushës së Tiranës, në territorin administrativ të komunës Petrelë.
Ajo është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e Bizantit. E ngritur në një terren mjaft të pjerrët, nga ku mund të shikosh të gjithë Tiranën. Ajo ishte një nga kalatë në pozicionin më strategjik për Gjergj Kastriotin, pasi kontrollonte një nga arteriet kryesore të lëvizjes, Rrugën Egnatia.
Në këtë periudhë kështjella komandohej nga motra e Skënderbeut, Mamica, e cila me familjen dhe truprojat e saj kujdesej për funksionimin e kështjellës.
Ndërtimi i pare i saj i përket periudhës së antikitetit, arkeologët e datojnë atë në shekullin III-IV p.e.s, bazuar ne qeramikën e periudhës romake. Ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV.
Që në hyrje të kullës sheh materiale, gurë, vegla, armë lufte dhe enë nga mesjeta. Bëhet fjalë për një koleksion gjetjesh të cilat kanë mundur t’i rezistojnë kohës dhe sot mund të vizitohen nga afër.
Sipas dorëshkrimeve, thuhet në shekullin XV, Petrela ishte Kështjella e parë pas Krujës, e cila u rrethua dhe u çlirua nga Skënderbeu dhe ishte një nga qendrat që u bënë ballë pushtimit osman, deri në vitet e fundit të jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Kjo kala bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës të kalasë së Krujës. Këto komunikonin me njëra – tjetrën nëpërmjet zjarreve. Gjatë shekullit XV, kështjella u pushtua nga Turqit e më pas ajo u çlirua nga Gjergj Kastriot Skënderbeu.
E bukur dhe e pashembur, Kalaja historike e Petrelës, edhe pse ka kaluar sulme të shumta gjatë luftërave ajo ende qëndron karshi natyrës së bukur të Shqipërisë. Kjo kala konsiderohet ndër më të vjetrat në gjithë territorin shqiptar.