Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në të gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”.
Kanionet e Osumit kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450m mbi nivelin e detit. Mendohet se janë formuar 2-3 milionë vjet më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë.
Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara. Në gjirin e këtij kanioni, që përshkohet nga lumi Osum, në të dy krahët e tij, rrjedhin ujëvara nga fshatra të ndryshëm, të cilat kalojnë në një sistem shkëmbor.
Kanioni si origjinë, më i madhi në Shqipëri, është ndër më fantastikët në Europë, i karakterizuar kështu dhe nga studiuesit europianë, gjeografë që kanë ardhur në zonë. Ky kanion ka bukurinë mahnitëse edhe për ekosistemin që ruan në vetvete, ku gjelbërimi në të dy krahët gjatë shpateve të kanionit është i përhershëm.</p>