Katedralja e Shën Shtjefnit, nga banorët shkodranë njihet edhe si Kisha e Madhe. Thuhet se katedralja ndodhej brenda mureve të kalasë së njohur të Rozafës, deri në vitin 1478, kur pushtimi osman i qytetit të fortifikuar e shndërroi atë në xhami. Qindra vite më vonë, në vitin 1851, besimtarët shkodranë i kërkuan zyrtarisht Sulltanit në Stamboll që katedralja të ndërtohej në Shkodër. Pas 7 vitesh, në prill të vitit 1858, nisi ndërtimi i Katedrales.
Me një pozicion të favorshëm fare pranë pedonalës së qytetit, kisha ka fituar vëmendjen e turistëve të huaj. Ndoshta më shumë edhe për shkak të strukturës së saj arkitektonike, ku ndërtesa kryesore i ngjan trupit të Katedrales së Parisit.
Vlen të përmendet se jo larg saj ndodhet Muzeu Dioqezan, i vetmi muze në Shqipëri kushtuar fesë.