Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj), është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse: “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.
Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe Shtëpia me Gjethe për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një të panjohur, një mister. Përgjime, kontrolle, spiunime që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm… Atyre u kushtohet ky muze… Shtëpia me Gjethe është e konceptuar në 9 seksione. Ndërtuar në vitin 1931, godina, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Por gjatë viteve të para të pasluftës u përdor si qendër hetuesie, një vend ku kryheshin tortura e ku shumë shpesh jeta prihej në mes. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qëndrore e seksionit teknik dhe shkencor të Sigurimit.
Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të Seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu përshkruan fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut i është dedikuar edhe përgjuesve – mikrofonëve të fshehur. Një hapësirë e dytë i është dedikuar “Mikrofonëve të gjallë”, informatorëve. Një hapësirë e tretë i është dedikuar paradigmës së “Armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranoiak, si dhe gjithpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithpërfshirjen e përgjimit. Një hapësirë e katërt i është dedikuar edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj, dhe që përshkruan përgjimin kundrejt të huajve. Një tjetër hapësirë tregon ambjentet e një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve 70’ me dekorime që shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit. Dhe një hapësirë tjetër i është dedikuar laboratorit teknik dhe shkencor të Seksionit që merrej së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete duke u ndëthurur kështu vizualja (pamorja) me dëgjimoren. Kjo hapësirë quhet “Panopticon dhe Panacusticon”.