Ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Ka klimë malore, por me diell gjatë verës. Temperaturat nuk janë kurrë tepër të larta për shkak të pozicionit të zonës në lartësi. Në dimër ka mjaft dëborë që shtresëzon deri në një metër e në periudha të caktuara, edhe më shumë. Rreshjet vjetore janë të bollshme, pjesa kryesore e tyre bie në vjeshtë dhe në dimër. Klima në këtë rajon është më e përshtatshmja për turizëm gjatë verës dhe në dimër gjithashtu. Është për t’u theksuar fakti që infrastruktura e vështirë nuk ju lejon të udhëtoni vetëm, e aq më tepër që rrugët në dimër bllokohen nga dëbora. Por duke kontaktuar guidat vendase, nëse jeni të vendosur që ta vizitoni në dimër, mund të lëvizni “me rrathë”.

Lugina është një park ndërkufitar me vlerat më të larta të biodiversitetit. Takohen pyje të ahut, pishës, rrobullit, bredhit, livadhe alpine (bjeshkë), pyje të gështenjës (Castanea sativa) në gjendje natyrore, përrenj e lumenj malorë, etj. Park i pasur në endemizma e subendemizma. Parku është gjithashtu dhe një zonë e vetme e takimit të hormoqit (Picea abies). Takohen gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), rrëqebulli (Felis lynx), kope me dhitë e egra (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus), etj, ndërsa nga shpendët veçojmë praninë e gjelit dhe të pulës së egër (Tatrao urogallus) dhe shqiponjës së malit (Aquila chrysaetos), etj. Në ujrat e lumit të Valbonës takohet lloji globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra).

Përgjithësisht dominojnë shëtitjet në natyrë por mund të ushtrohen edhe lloje të ndryshme sportesh, ngjitje në shpatet e maleve. Mund të ushtrohet edhe sporti i gjuetisë por vetëm gjatë sezonit dhe duke marrë informacionin paraprak se për cilat kafshë të parkut është e ndaluar gjuetia. Të apasionuarit mund të ngrenë kampingje, duke respektuar ambientin dhe duke u informuar më parë për zonat e lejuara. Valbona është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë dhe segmente e rrëmbyera të lumit me të njëtin emër, mund të jenë një sfidë për të apasionuarit e sporteve ekstreme.