“Një promovim i veçantë, i një libri dhe autori të veçantë” – Me këto fjalë e filloi vlerësimin e tij Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i IETT-së.

Nën organizimin e IETT, më 10 dhjetor 2021 u mbajt promovimi i librit “Është një vend që quhet këngë”, i autorit Najwan Darwish. Në këtë eveniment, morën pjesë Amb. Besnik Mustafaj, diplomat, pedagog, përkthyes dhe shkrimtar i njohur; Z. Najwan Darwish, autor i librit dhe poet i njohur nga Palestina, Prof. As. Dr. Viola Isufaj, profesoreshë e Letërsisë Bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës dhe Prof. Dr. Muhamed Mufaku, studiues dhe përkthyes i librit.

Eventi u hap nga Prof.Ramiz Zekaj, i cili foli për rëndësinë që ka përkthimi i poetëve të Lindjes së Mesme në gjuhën shqipe. Në libër përshkruhet historia dhe aktualiteti i Palestinës, parë nga një këndvështrim personal i autorit. Ai nuk la pa përmendur dhe cilësitë e dukshme e të dallueshme të Prof. Mufakut, teksa shfletoi dhe lexoi poezitë e përkthyera me mjeshtëri prej tij, nuk la pa përmendur kulturën e përgjithshme që autori i  këtij libri ka, kureshtjen për të mësuar sa më shumë, vullnetin dhe këmbënguljen për të bërë më të mirën, e pa dyshim talentin e tij.

Fjalimin e radhës e mbajti Amb. Besnik Mustafaj, i cili përmendi veҫantinë që sjell libri “Është një vend që quhet këngë” për lexuesin shqiptar.

Pas falënderimeve për mikpritjen dhe organizimin e promovimit të librit, autori Najwan Darwish foli mbi rrugëtimin e tij me poezinë.

Një  tjetër vlerësim mbi poezinë e Z. Najwan u bë nga Prof. As. Dr. Viola Isufaj, e cila e quajti veprën e tij “Universe poetike nga letërsia arabe”.

Prof. Dr. Muhamed Mufaku, shprehu falënderimet e rastit, vlerësimin për autorin dhe organizatorët, të cilët bënë të mundur promovimin e librit  të tij për herë të parë në Shqipëri.

IETT do jetë gjithmonë e hapur për të promovuar dhe mbështetur botime të tilla domethënëse, shtoi më tej Prof. Zekaj, i cili uroi që shtëpitë botuese të vazhdojnë të ofrojnë për lexuesit shqiptarë, vepra me vlera të veçanta, të cilat do të jenë ndriçuese të vërteta të mendjes dhe rrugës drejt formimit tonë të mirëfilltë si shoqëri dhe komunitet.