Në të kaluarën për dasmat ekzistonin rite të ndryshme e secili veprim kishte një simbolikë të veçantë.
Ceremonia e dasmës përfshinte: prerjen e ditës, ditën e druve, ditën e brumit, ditën e rrobave të nuses dhe bashkimin martesor.
Caktimi i ditës së martesës sipas krahinave të ndryshme quhej: “orok”, “prerja e ditës”, “premja e vades”, “prerja e fjalës”. Mendohej se shtyrja e kësaj dite sillte fat të keq, ndaj as vdekja nuk e shtynte martesën.
Dita e druve thirrej dita kur shkonin për të prerë dru që shërbenin për gatim dhe për ngrohje në dasmë. Në shumicën e rasteve shkonin gratë dhe vajzat e shumë rrallë burrat.
Dita e brumit është ritual që njihet në mbarë Shqipërinë dhe ka qenë një ndër ritet më të rëndësishme të dasmës. Sitja e miellit dhe zënia e brumit bëhej nga gra e vajza të reja që kishin prindërit gjallë.
Dita e rrobave të nuses është ajo ditë kur nuses i çonin peshqeshet e dhëndrit apo pajën. Përgjithësisht te të gjitha krahinat dhuratat e nuses i çonin meshkujt.
Lidhur ngushtë me dërgimin e rrobave është edhe zakoni i lyerjes së flokëve me bojë, vënia e kënasë nuses.
Në këtë rast, në shtëpinë e nuses mblidheshin gra e vajza. Ajo e rrethuar nga shoqet qante me të madhe sepse do të shkëputej nga jeta e vajzërisë, ndërsa të qarat e saj shoqëroheshin me këngë.