20.05.2020
Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, IETT në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” dhe Muzeun e Artit Mesjetar, Korçë organizuan workshopin online me temë “Trashëgimia kulturore dhe rigjallërimi i saj” me tre sesione.
Takimi u hap me një fjalë përshëndetëse nga Dr. Alma Zhilla, Pedagoge pranë Universitetit të Korçës, për t’u ndjekur më pas nga një prezantim i Znj. Anisa Hykaj, Koordinatore për Trashëgiminë dhe Turizmin në IETT.
Znj. Hykaj foli mbi vizionin e Institutit, objektivat e tij, pjesëmarrjen në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat IETT është anëtare. Një vëmendje të veçantë ia kushtoi dhe rëndësisë së bashkëpunimit për çdo institucion apo individ i cili shpreh dëshirën për të vënë në zbatim një projekt në të mirë të komunitetit.
Prezantimi i dytë “Trashëgimia kulturore, pasaporta jonë drejt Europës” u zhvillua nga Dr. Alma Zhilla, e cila vuri në pah atraksionet turistike, pjesë e trashëgimisë kulturore si dhe sfidat me të cilat po përballen për tu rigjallëruar pas situatës së krijuar si pasojë e Covid-19.
Pjesë e panelit ishin dhe Znj. Fjoralba Prifti, Drejtoreshë e Muzeut të Artit Mesjetar dhe Znj. Enis Gjanci, Specialiste Arti dhe Guide pranë këtij muzeu, të cilat sollën një prezantim të politikave të Muzeut, sfidave që po përballet, cfarë përfaqëson ky muze dhe sa interes ka vizitori në atë që ai ofron. Gjithashtu u paraqitën edhe masat e marra në mbrojtje të vizitorit.
Pjesëmarrës në sesionet ishin, Znj. Majlinda Laçaj, Drejtore pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare; Znj. Ledina Agolli, Shefe e Departamentit të Marketing Turizëm, UNIKO; Dr. Mirela Tase, Dr. Dorina Xheraj dhe Dr. Viola Plumbi, lektore në Departamentin e Turizmit në UAMD, Durrës, Prof. Esmeralda Kromidha, Prof. Drita Rira, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja Tiranë; znj.Gladiola Caka, specialiste pranë Muzeut Etnografik, Berat; z. Ledio Xhoxhi, punonjës shkencor pranë Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë etj., të cilët ndanë mendimet dhe eksperiencat e tyre në fushën e trashëgimisë, muzeologjisë, turizmit.
Të pranishëm dhe me shumë rëndësi ishin edhe studentë të degës administrim biznes në turizëm në UNIKO, të cilët ndoqën me vëmendje dhe shtruan pyetje drejt lektorëve të pranishëm.
Ky workshop ndihmoi në njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë sonë kulturore, mbi mënyrat që mund të shërbejnë në ruajtjen, promovimin dhe rigjallërimin e tyre.