Më datë 19 qershor 2025, në ambientet e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), u zhvillua mbledhja e radhës e Bordit Drejtues, me pjesëmarrjen e kryetarit Prof. Dr. Ramiz Zekaj, anëtarëve Prof. Dr. Valter Shtylla, Ambasador Kujtim Morina dhe z. Dritan Lloçi, si dhe me praninë e Drejtoreshës Ekzekutive Prof. Dr. Nevila Nika, Koordinatores znj. Anisa Hykaj dhe Asistentes së Zyrës zj. Megi Beleshko.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Prof. Dr. Zekaj, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të institutit dhe përforcimit të rolit të tij në fushat e edukimit, trashëgimisë dhe turizmit.
Në vijim, znj. Anisa Hykaj prezantoi raportin mbi ecurinë e punës për vitin 2024 dhe gjashtëmujorin e parë të 2025, duke theksuar projektet kyçe të realizuara dhe bashkëpunimet me partnerë vendas e të huaj. Ajo paraqiti gjithashtu një pasqyrë të hollësishme të gjendjes financiare, me propozime për menaxhim më të mirë të burimeve.
Anëtarët e Bordit diskutuan mbi propozimet për projekte të reja me interes kombëtar dhe rajonal, si dhe fusha me përparësi për zhvillim të mëtejshëm.
Në përfundim të mbledhjes, u miratua plani i punës për pjesën e dytë të vitit 2025 dhe u përcaktuan qëllimet strategjike të IETT për të ardhmen, me synimin për të qenë një institucion me ndikim në fushat e arsimit, trashëgimisë dhe turizmit në vend dhe më gjerë.










