Trashëgimia e pasur kulturore në rrethin e Pogradecit pasqyrohet në mënyrë të veçantë përmes veshjeve popullore, të cilat ndryshojnë sipas zonave dhe rrethinave të tij.
Veshja e grave të Mokrës është mbajtur në dy variante: e grave ortodokse dhe myslimane.
Elementet themelorë të veshjes së grave ortodokse ishin: linja (këmisha e gjatë deri te fyelli i këmbës) me mëngë të gjata të qëndisura, disa lloje gunash prej shajaku, cibuni që vishej mbi këmishë dhe brezi, çorapet dhe shamia e kokës që ishte krejt e bardhë.
Gratë myslimane kryesisht në Rodokal, Piskupat dhe Lin vishnin një këmishë pëlhure të bardhë pambuku. Poshtë saj vishej fustanellë basmeje, mbi këmishë vishej jeleku prej cohe, i zbukuruar me një shirit të verdhë dhe me para metalike. Pjesë e rëndësishme e kostumit ishte xhoka, me gajtan të bardhë, e punuar nga vetë gruaja fshatare.
Veshja e grave të rrëzes së Pogradecit ishte ajo me çitjane të qëndisura me gajtane ari, këmishë pëlhure dhe në kokë lidhnin shami mëndafshi ose haliskë.
Ndërsa veshja e burrave të rrëzes së Pogradecit ishte ajo me kostum dhe fustanelle, gjerësia e të cilës varej nga gjendja ekonomike e bartësit.
Pjesë e veshjes ishin fanella e leshit dhe xhamadani prej shajaku të bardhë, që vishej mbi këmishë.
Gjithashtu, veshja e burrave të Mokrës deri në prag të Luftës së Parë Botërore ishte e përbërë nga fustanella, e cila më pas u zëvendësua me atë me befça. Ndërsa e burrave të Gorës u zëvendësua me qillota (pantallona) dhe në pjesën e sipërme shoqëroheshin me fanellën, këmishën dhe jelekun e shajakut.