Më 18 qershor 2026, në ambientet e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), u organizua promovimi i veprës studimore-shkencore “Shenjat e Intertekstualitetit në Romanin ‘Oh’ – Sprovë për një lexim empirik”, të autores Alba Boriçi.
Botimi trajton një nga veprat më përfaqësuese të letërsisë moderne shqipe, romanin “Oh” të Anton Pashkut, duke ofruar një analizë të thelluar të mekanizmave intertekstualë, simboleve dhe shtresëzimeve kuptimore që karakterizojnë këtë krijimtari letrare.
Në kuadër të aktivitetit, Dr. i Shkencave të Letërsisë Fitim Veliu paraqiti një vlerësim të veprës, duke vënë në pah vlerat shkencore dhe kontributin e saj në studimet letrare bashkëkohore. Aktiviteti u zhvillua në prani të studiuesve, pedagogëve, studentëve dhe dashamirësve të librit, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për diskutim akademik dhe shkëmbim mendimesh.
IETT mbetet e angazhuar në promovimin e veprave shkencore dhe kultivimin e dialogut akademik në fushën e arsimit, trashëgimisë dhe kulturës.