Alpet Shqiptare janë një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare, me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike. Ato përbëjnë krahinën më malore dhe interesante të vendit tonë dhe na radhitin ndër vendet e pakta të Evropës me Alpe. Këtu ndodhen dhe shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2,000m mbi nivelin e detit, majën më të lartë e Alpeve, Jezerca (2,694m), e dyta pas majës së Korabit (2,751m).

Relievi ka formën e një kupole të madhe, ndërsa kurrizet malore e luginat kanë shpërndarje rrezore. Me vlera të veçanta janë format e relievit karstik dhe akullnajor. Të shumta janë shpellat e mëdha karstike, që arrijnë deri 5km gjatësi (shpella e Pucit) etj. Relievi reliktor akullnajor, me përhapje më të madhe se kudo në Shqipëri, lidhet me lartësinë e madhe, me pozitën më veriore dhe me relievin më të zhvilluar paraakullnajor.

Midis lumenjve kryesorë të Alpeve janë: Shala, Valbona, Cemi, Curraj-Nikaj, Kiri, Gashi, Përroi i Thatë etj. Janë rreth 30 liqene akullnajore, të vendosura në grupe, si në: malësinë e Gashit (Dobërdol e Sylbicë), në Runicë dhe bllokun e Jezercës. Tokat janë të kafenjta malore, të murrme pyjore dhe livadhore malore. Shtrirjen më të madhe e kanë tokat e murrme pyjore, të zhvilluara nën pyjet e ahut dhe të halorëve.

Bota shtazore është e pasur dhe e larmishme. Përbëhet nga shumë lloje gjitarësh, shpendësh, zvarranikësh dhe amfibësh. Takohen gjitarë të mëdhenj, të mbrojtur dhe të rrallë, si: Rrëqebulli, Dhia e egër, Kaprolli, Ariu, etj. Në ujërat e freskëta të lumenjve alpinë gjendet vidra globalisht e kërcënuar. Alpet Shqiptare janë një atraksion i rëndësishëm turistik, gastronomik, shkencor e biologjik etj.

Një potencial tjetër i çmuar i Alpeve shqiptare është pasuria kulturore, mikëpritja dhe bujaria e madhe banorëve të zonës. Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë madje edhe në botë.

PhotoRights: AKT