Përmeti njihet për ruajtjen e traditës artistike dhe duarartë, ndër të tjera edhe nëpërmjet punëve artizanale. Në panaire dhe ditë aktivitetesh vëmë re produkte unike si punëdore, qëndisje me motive të ndryshme, gdhendje në gur dhe dru apo thurrje të shportave.
Qyteti i Përmetit vazhdon ta ruajë traditën e punimeve prej leshi, si qilimave, rrugicave, këndeve dhe punimeve tjera, të cilat gjejnë përdorim të gjerë familjar por janë edhe me interes për vizitorët vendas dhe të huaj.
Për mënyrën e punimit të tyre, ornamentet dhe prodhimet tjera të këtij lloji kanë ngjallur interesimin e tregëtarëve të shtetit fqinj, Greqisë.
Në Përmet është zgjeruar tradita e prodhimit të objekteve prej guri, hekuri dhe druri. Këtu mund të përmendim gdhëndjen në gur të kuq të sofateve e çezmave nga mjeshtrat e Polenës, kështu mund të thuhet edhe për prodhimin e oxhaqeve dekorativë, të cilët po përdorën për zbukurimin mjedisor shtëpijak.

Gdhendja në gur dhe dru
Gdhendja në gur dhe në dru është një mjeshtëri e talent i trashëguar në breza nga mjeshtër të ndryshëm, të cilët kanë lënë gjurmë në zbukurimin e mureve të shtëpive, gurëve të dyerve, dritareve dhe pajisjeve shtëpiake, si: govata për larje rrobash, rafte për mbajtjen e rrobave, tabllo të ndryshme, instrumente muzikore, enë kuzhine e të tjera si këto. Kemi të bëjmë me një traditë të hershme, ku realizimi i punimeve të shumëllojshme kryhej kryesisht në mënyrë artizanale, me dorë, me anë të daltës dhe të çekiçit.

Qëndisja
Qëndisja bëhet me fije pambuku, mëndafshi, ari dhe argjendi. Punohet në pëlhurë të hollë mëndafshi (kumash), me gjergjef tradicional katror me katër kamë, për arsye që mos të përthyhet pëlhura e mëndafshit. Kur punohet me fije mëndafshi përdoret gjilpëra me një vrimë, ndërsa kur punohet me fije argjendi dhe ari përdoret gjilpëra me dy vrima.

Tradita e punimeve prej leshi
Në këto punime përfshihet punimi i qilimave unikë prej leshi të punuar me dorë. Duke ruajtur teknikën e punimit në tezgjah, teknika e ngjyrosjes së leshit, nga ajo me lesh të pangjyrosur apo me ngjyrosës natyral.

Artizanët në Përmet
Faik Myrto është ndër artizanët e fundit të Përmetit. Faiku 75 vjeçar në punishten e tij të vogël tregon hap pas hapi realizimin e një samari, mjetet e punës që përdor dhe çmimin që paguajnë bashkëfshatarët e tij.
Nëse të rinjtë e qytetit nuk e dinë çfarë është një samar, ata në fshat refuzojnë ta mësojnë, madje edhe vetë djemtë e Faikut, sipas të cilit shumë shpejt ky zanat do të zhduket plotësisht.