Në tërësinë e dukurive historiko-kulturore të traditës, të sinkretizuara në jetën shpirtërore të popullit tonë, një vend tejet të veçante zënë vajtimet popullore për vdekjen, për të vdekurin dhe përcjelljen e tij në varr.
Në folkloristikën tonë vajtimi i parë që njohim është “Ajkuna qan Omerin”, të birin e vrarë në luftë.
Këngët e para të vajtimeve ishin të strukturuara dhe fillonin me pyetje retorike të stilit “pse po ndahesh nga jeta?”, duke përfunduar me aktivitetet e mëtejme të botës tjetër: “Po kur t’ mrrijsh n’ at’ botën tjetër, ke me u tesh në burra të vjetër”.
Në pjesën veriore të Shqipërisë vajtimet shqiptare janë më arkaike. Ato shoqëroheshin me këngë kolektive, të improvizuara nga gratë e më rrallë nga burrat, të cilat përcilleshin hera-herës me valle, por vetëm mbi varr.
Më vonë duhet të jenë manifestuar vajtimet individuale ku nënat dhe motrat merrnin rolin kryesor. Ndërkaq, me ndarjen klasore të shoqërisë u shfaqën edhe vajtueset profesionale.
Në vitin 1641, Frang Bardhi përshkruan gjëmën e burrave e vajin e grave në shkrimet e tij, ku thotë se shqiptarët i qajnë me gjithë zemër njerëzit e gjakut të vet në çastin e vdekjes. Ndërsa, Pjetër Budi në “Ritualin Roman” (1621) këto vajtime të natyrës pagane i quan “më të shëmtuarat mbi këtë dhe”.