IETT mori pjesë në Konferencën e 2-të Ndërkombëtare mbi Përkthimin organizuar nga Biblioteka dhe Arkivi Kombëtar i Abu Dhabit në Emiratet e bashkuara Arabe me temën: “Përkthimi i librit Zajed, njeriu që ndërtoi një shtet” në gjuhën shqipe dhe roli i tij në përmirësimin e imazhit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe trashëgimisë së tyre kulturore në Ballkan”. Konferenca u organizua virtualisht dhe pati një numër akademikësh dhe studiuesish nga universitetet dhe institucionet kryesore nga e gjithë bota që morën pjesë në këtë konferencë. Në sesionin me titull: Roli i përkthimit në përmirësimin e imazhit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe trashëgimisë së saj kulturore në shekullin e njëzet e një, mori pjesë edhe Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, IETT përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj.
Prof. Zekaj prezantoi temën “Përkthimi i librit Zajed, njeriu që ndërtoi një shtet” në gjuhën shqipe dhe roli i tij në përmirësimin e imazhit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe trashëgimisë së tyre kulturore në Ballkan”. Gjatë prezantimit Profesori paraqiti punën e bërë nga përkthyesit, redaktorët, konsulentët, dizanjerët etj., për përgatitjen dhe sjelljen në gjuhën shqipe të kësaj vepre. Ai u ndal në rëndësinë e botimit në shqip të këtij libri, i cili përcjell një shembull të artë të një burrështetasi të madh, të një udhëheqjeje të mençur nga një njeri me dhunti të veçanta. Libri “Zajed, njeriu që ndërtoi një shtet” nga Graeme H. Wilson do të jetë së shpejti botimi i radhës nga IETT. Lexuesi në këtë libër do të udhëtojë në kohë dhe do të shohë sikur një film, jetën dhe punën e madhe të Sheik Zajedit, i cili gjatë 33 viteve të tij si president, bëri që EBA nga një shtet i vogël në terma global, t’ia dilte të pushtonte skenën botërore. Duke shfrytëzuar fakte të dokumentuara, kujtimet e shtetarëve dhe zyrtarëve nga e gjithë bota, lexuesi do të pikturojë kanavacën e një diplomati që u shpërfaq duke përdorur ndikimin e tij, për të shmangur luftërat dhe parandaluar katastrofat. Në libër është përfshirë edhe pjesa më pak e njohur e jetës së tij: vepra bamirësie pafund, që prekën jetën e qindra miliona njerëzve, kudo nëpër botë, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën.