Kisha e Shën Triadhës ndodhet në zonën muzeale të Mangalemit në Berat, në faqen jugore të Kalasë.
Ajo është e ndërtuar me gërshetimin e tjegullave të modelit bizantin me radhë të forta guri, si mbajtëse të pjesës së poshtme të ndërtesës.
Afresket murale në faqet e brendshme janë të dëmtuara për shkak të vjetërsisë. Megjithatë gjurmët e temave biblike që tregojnë dishepujt e Krishtit, elementë të “Darkës së Fundit”, apo ditët dhe ritualet që i paraprijnë Pashkëve duken ende mbi muret e kishës.
Në tërësi pjesa e sipërme e kishës dominohet nga ngjyra e kuqërremtë e tjegullave bizantine harmonizuar me gurë të bardhë.
Në pamjen e saj të jashtme kisha vizaton në hapësirë krahët e Kryqit dhe dominohet nga kupola e kuqërremtë.
Ndërtimi i saj daton rreth fundit të shekullit të XIII-të. Ndërsa është restauruar për herë të fundit në vitin 2016 kryesisht në pjesën e çatisë, e cila ishte më e dëmtuar se pjesa tjetër e ndërtesës.