Në datat 01-02 tetor 2022 u mbajt në Durrës, Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Literatura Islame në Gjuhën Shqipe 1945-2022: Prodhimtaria dhe përhapja e dijeve Islame në rajon”, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara, Sarajevë; AIITC, Tiranë dhe Qendrën Kulturore ‘Horizonti’, Podgoricë. Kjo konferencë pati si qëllim analizën sasiore dhe cilësore të prodhimtarisë së literaturës islame.
Pjesëmarrësit vinin nga fusha e disiplina të ndryshme shkencore, institucione kërkimore-shkencore, shtetërore e private, ofrues të arsimit, institucione të bashkësive fetare islame, udhëheqës të komunitetit, mësues e predikues nga Shqipëria, Kosova, dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo konferencë u organizua nën koordinimin e:
– Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) Tiranë,
– Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) Tiranë në bashkëpunim me:
– Qendrën për Studime të Avancuara (CNS) Sarajevë,
– Qendrën për Mirëkuptim Ndërkulturor “Horizonti”, Podgoricë dhe me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam, (IIIT), SHBA.
Në sesionin e mirëseardhjes mbajtën fjalën e rastit, Drejtori i IETT Assoc. Prof. Dr. Ramiz Zekaj; Drejtori i CNS, Prof. Dr. Ahmet Alibašić; Sekretari i Përgjithshëm i IIIT Prof. Dr. Omar H. Kasule; Drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj.
Dita e parë e konferencës pati katër sesione me ligjërata që kishin në fokus:
– Temat dhe autorët kryesorë;
– Tekstet fetare kundrejt llojeve të tjera të letërsisë;
– Rrymat e përkthimit;
– Përkthimet klasike kundrejt atyre bashkëkohore;
– Përkthime dhe publikime cilësore;
– Lexuesit e letërsisë islame.
Kjo konferencë gjithashtu solli një përvojë të dobishme për pjesëmarrësit, si pasojë e ndërveprimit të shpeshtë mes tyre. Përgjatë dy ditëve të punimeve, referuesit paraqitën rezultatet e hulumtimeve të tyre mbi tematikën e konferencës dhe parashtruan rekomandimet e tyre mbi të ardhmen e letërsisë islame në gjuhën shqipe në vend dhe në diasporë.