Në kuadër të “Java e Kulturës Egjiptiane”, IETT organizoi pranë ambienteve të saj, një leksion të hapur mbi marrëdhëniet Egjipt-Shqipëri, me pjesëmarrjen e veçantë të Ambasadorit të Egjiptit në Tiranë, Sh.T.Z. Mohamed Heider, së bashku me pjesëtarë të tjerë të Ambasadës së Egjiptit, profesorë, studiues, si dhe studentë. Ne kemi një tërheqje ndaj kulturës së jashtëzakonshme të Egjiptit, por edhe për faktin se një pjesë e historisë sonë është e lidhur me atë vend.
Të pranishmit u përshëndetën fillimisht nga Drejtori i IETT, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj.
– Java kulturore e Egjiptit, shpalosi vlerat më të mira kulturore, historike dhe artistike të një vendi me të cilin shqiptarët kanë patur dhe vazhdojnë të kenë marrëdhënie ndër më të mirat në fusha të ndryshme – tha ndër të tjera Prof. Zekaj.
Prof. Ahmed Ghobashi vijoi më pas me leksionin e tij ku foli mbi zanafillën e marrëdhënieve bilaterale Egjipt-Shqipëri, Muhamed Ali-në e Egjiptit i cili konsiderohet themelues i Egjiptit modern, reformat që ndërmori në një sërë fushash, të cilat për pasojë sollën me vete një diasporë të pasur shqiptare.
Në fund të aktivitetit, u shprehën falenderimet e rastit nga Prof. Muhamed Mufaku, studiues dhe autor i disa botimeve e shkrimeve për Egjiptin, gjithashtu nga Dr. Faruk Borova, ish ambasador i lindjes së mesme, si e dhe pjesëmarrës të tjerë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona po njohin një kapitull të ri, që përforcohen edhe më tepër me aktivitete të tilla të përbashkëta kulturore.