Lumi Buna është një nga bukuritë natyrore më të veçanta në pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë. Është shpallur “Peizazh i Mbrojtur”, Kategoria e V. Është pjesë e rrjetit EMERALD dhe IBA. Në sipërfaqen e peizazhit të mbrojtur përfshihen 40km gjatësi të Lumit Buna dhe 8 km të Lumit Drin. Përfshin lumin Bunë dhe zonën bregdetare-ligatinore të Velipojës. Ndodhet në fushën e Nënshkodrës, pjesën jugore të gjithë Ultësirës së Shkodrës. Zona e mbrojtur përfshin pjesën jugore të Grykëderdhjes së lumit Buna, i vetmi lumë fushor që buron nga liqeni i Shkodrës.

Regjimi hidrologjik i Bunës përcaktohet nga regjimi i liqenit të Shkodrës dhe i Drinit, duke qenë kështu pjesë e një rrjeti hidrografik shumë kompleks, i cili shtrihet gati në 1/5 e Gadishullit të Ballkanit, në Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut. Lumi Buna ka disa tipare shumë interesantë, që rrallë gjenden nëpër lumenjtë e tjerë dhe jo më kot është shpallur “Peizazh i Mbrojtur”. Ky lum është tipik fushor dhe i vetmi lum me deltë (grykëderdhje) të vërtetë natyrore, në të cilën ndodhet Ishulli Ada.

Zona e Mbrojtur strehon një larmishmëri të madhe zogjsh, gjithashtu është një nga tre korridoret më të rëndësishme për shtegtimin e shpendëve në Evropë, si edhe një vend i rëndësishëm për dimërimin dhe folenizimin e shpendëve ujorë. Janë regjistruar rreth 138 lloje shpendësh, nga të cilët 114 lloje shumohen, 16 lloje të mundshme të mbarështimit, 52 lloje klasifikohen si të rregullta dhe 51 si kalimtarë të rastit ose vizitorë të dimrit, etj. Reptilët përfaqësohen nga 19 lloje, të gjitha përfshihen në listën e kuqe të IUCN-s. Amfibët 11 lloje.

Buna dallohet për rolin e saj të rëndësishëm në ruajtjen e faunës peshkore, pasi nëpërmjet saj migrojnë rreth 13 lloje peshqish për në det nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin. Janë regjistruar rreth 143 lloje të peshqve (Lumi Buna, Deti dhe Laguna e Vilunit). Për të gjitha këto pasuri që ky peizazh ka, por edhe për shumë veçori të tjera gjeologjike, gjeografike etj., kjo zonë duhet të jetë një atraksion i madh turistik.