Tomorri është mali më i veçantë dhe enigmatik në Shqipëri, i cili zotëron pamje nga të gjitha pikat e horizontit. Mendohet se është formuar së paku 65 milion vjet më parë.
Ai ndodhet në lindje të qytetit të Beratit e Poliçanit, në jug-juglindje të Çorovodës dhe në perëndim të Gramshit. Shtrihet mbi formacione gjeologjike të shumëllojshme, të dominuara kryesisht nga gëlqerorë dhe shkëmbinj porozë.
Nga mali i Tomorrit burojnë dy lumenj të fuqishëm: Osumi dhe Devolli, si dhe dy përrenjë: përroi i Sotirës dhe i Tomoricës, të cilat derdhen në lumin e Devollit.
Prej gjeologëve austriak më 1917 është thënë se ky mal ka brenda një liqen shumë të madh, prej nga dalin 100 burime uji. Disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës, ku mund të jesh duke pirë ujë në të dhe befas ky burim ndërpritet. Gjeologët e shpjegojnë këtë si një fenomen gjeologjik që ndodh në shtresat tektonike të nën Tomorit.
Mali ka mbi 950 specie të ndryshme bimore, nga të cilat gjashtë janë bimë endemike dhe 11 subendemike, si dhe mbi 200 lloje bimësh me vlera ekonomike dhe mjekësore. Përfaqësuesit kryesorë të bimësisë janë shkurret mesdhetare, pisha, ahu, lisi, rigoni, çaji i malit, sherebela etj.
Zona ka edhe një jetë të egër mjaft të larmishme, që përfaqësohet nga ariu i murrmë, ujku, kaprolli, sorkadhja, derri dhe dhia e egër, shqiponja e shumë gjallesa të tjera.
Majat e thepisura, pyjet e dendura, humnerat dhe stuhitë e shpeshta, e bëjnë këtë mal tërheqës dhe sfidues.
Vizitorët duke udhëtuar drejt tij, mund të shfrytëzojnë kanionet e Lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihen me monumente kulture të vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojnë dhe sportin e skive apo të ngjitjeve malore.
Pikat turistike më të spikatura janë Ujëvara e Sotirës, Ujëvara e Bogovës, Cirqet dhe Morenat Akullnajore të Tomorit, Shpella e Kapinovës etj.
Mali i Tomorit prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve, duke u bërë simbol i natyrës dhe pjesë e botës shpirtërore të tyre.