E ngritur midis ullinjve, në një zonë kodrinore në fshatin Çetë të Kavajës, gjendet një prej objekteve më të rëndësishëm të kultit në vendin tonë, që daton prej shekullit XIII. Ajo është e vetmja kishë me arkitekturë gotiko-romake e mbetur në territorin e Shqipërisë.
Kisha e “Shën e Premtes” e cila njihet ndryshe edhe si “Kisha e Çetës” ose si “Kisha e Shën Paraskevisë”, ndër vite ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të ndryshëm, të cilët janë interesuar për disa aspekte të saj dhe u shpall monument kulture në vitin 1963.
Kisha përbëhet nga altari, narteksi dhe naosi. Hyrjet në përdorim janë dy, nga jugu dhe perëndimi, por ekziston edhe një hyrje e tretë, e murosur, e cila ruhet prapa ikonostasit, në faqen veriore.
Brendia e kishës është e zbukuruar me afreske, që paraqiten në gjendje relativisht të mirë. Në përgjithësi pjesa e sipërme e afreskeve ruhet e plotë, ndërsa pjesa e poshtme mungon në pothuaj tërë kishën.
Dyshemeja ka një figurë dielli (në formë rrethi), gjë që është interesante, pasi kulti i diellit është prekristian.
Pikturat murale veshin të gjithë hapësirën e brendshme të kishës dhe mendohet se janë realizuar në disa faza, nga dy piktorë të ndryshëm. Më i vjetri, ka pikturuar tërë kishën, ndërsa më i riu, ka ndërhyrë pjesërisht në brezin e poshtëm, duke ripikturuar shenjtorët, etërit dhe hierarkët e kishës.
Bazuar në tiparet arkitektonike të saj, mendohet se rindërtimi i kishës daton në fundin e shekullit XIII.
Shkatërrimet e shumta të objekteve fetare të vitit 1967 e kursyen kishën e Shën Premtes së Çetës, e cila u mbrojt nga banorët, në një zonë kryesisht të besimit islam.