Kostumet popullore janë përpunuar në rrjedhën e shekujve duke ruajtur tipare antike që lidhen me kulturat e hershme ballkanike e mesdhetare, me kulturën ilire e atë të arbërve të Mesjetës.
Opingat e përdorura nga shqiptarët paraqesin një element shumë të lashtë veshjesh popullore të trashëguara nga një nënshtresë e vjetër ilire.
Në variantet më të thjeshta ato bëhen prej një cope të vetme lëkure e cila përbën si pjesën e poshtme ashtu edhe të sipërmen, duke mbuluar vetëm gishtat e këmbëve. Me një sistem retrash lëkure dhe gjalmash prej leshi, buzët e opingës, së pari rrudhen, duke u afruar pas këmbës, pastaj fiksohen, duke u lidhur mbi shpinën e këmbës dhe rreth pjesës te nyja.
Ky tip opingash rrjedh nga një prototip ilir, i dokumentuar mjaft mirë në gjetjet arkeologjike të Durrnbergut, të Glasinacit e të Bihacit, nga një periudhë mjaft e hershme, në shekujt VI-V para e.r.
Pothuaj gjithë llojet e opingave, që janë mbajtur te ne, lidhen me këtë tip ilir dhe dallohen qartë nga tipet që përdornin grekët dhe romakët e kohës antike, ashtu si dallohen nga llaptiet tipike të popujve sllavë.