Përmeti shtrihet në pjesën jugore të Shqipërisë. Në të dy anët e rrjedhës së sipërme të lumit të Vjosës.
Në rrethin e Përmetit, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, dalloheshin qartë gjashtë rrethina kostumologjike: Shqeria, Dangëllia, Cerja, Rrëza, Dëshnica dhe Malëshova ose siç quhet ndryshe labe. Duhet thënë se, në përgjithësi, veshjet popullore të rrethit të Përmetit, si të grave edhe të burrave, kishin ngjashmëri jo vetëm ndërmjet rrethinave të ndryshme etnografike por edhe me veshjet e rretheve kufitare.
Nga gjurmimet që janë bërë në fshatrat e këtij rrethi dhe nga të dhënat dokumentare, rezultoi se në fillim të shek. XIX veshja e grave përbëhej nga një këmishë e gjatë sipër së cilës vishej cibuni prej leshi në ngjyrë të zezë. Më vonë filloi të përdorej fustani i leshtë në ngjyrë të zezë, blu të errët, vishnje, kafe ose të kuqe. Në kokë mbanin shami të zeza me lule anash; mbathnin çorape leshi të ngjyrave të ndryshme dhe opinga lope. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, veshja me këmishë e cibun u zëvendësua me veshjen me fustan stofi të importuar, që e mbanin më tepër nuset dhe gratë e reja.
Ndërsa, gratë e qytetit të Përmetit i kanë lënë më herët veshjet e tyre popullore dhe në përgjithësi ato kanë mbajtur veshje të kohës. Karakteristikë e veshjes së tyre ishte kostumi me fustan atllasi i gjatë gjerë poshtë pulpave të këmbës. Përveç fustanit si pjesë e këtij kostumi ishin edhe jeleku dhe mëngorja prej cohe e zbukuruar me fije ari, këmisha e mëndafshtë, shamia e kokës e zbukuruar me oja, çorapet e holla prej pambuku dhe këpucët e zeza me gjysëm take.