Rrajca është një destinacion i preferuar i turistëve vendas dhe të huaj sepse ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore.

Në 7 korrik 2017, në Sesionin  e 41-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i mbledhur në Krakovë, Poloni u miratua zgjerimi i zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetër të Ahut (Fagus sylvatica, L.) edhe me dy zona nga Shqipëria, duke i përfshirë ato në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s.

Rrajca gjendet pranë zonës së Përrenjasit apo Librazhdit dhe zë një hapësirë prej 4700 ha. Është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanica, i cili është ende relativisht i panjohur sepse ka qenë zonë e ndaluar kufitare gjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ishte pikërisht kjo mbyllje, që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij, pasi rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë tejet të paprekura. Rrajca është gjithashtu pjesë e European Green Belt të pyjeve të ahut si një prej vendeve të pakta ku gjendet rrëqebulli ballkanik.

Rrajca po kthehet çdo vit e më tepër një atraksion i fuqishëm turistik. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit. Janë Liqenet akullnajore të Rrajcës, pjesë e këtij Parkut, që e bëjnë Rrajcën një nga destinacionet e veçanta turistike natyrore që mund të eksplorohen në çdo stinë.