Me një sipërfaqe prej 3000 ha, lugina e Gashit gjendet në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës, në verilindje të Alpeve, në rrethin e Tropojës, shumë larg zonës së banuar. UNESCO e ka përfshirë këtë rezervat të çmuar natyror në listën e trashëgimisë botërore të natyrës. Kjo mrekulli natyrore ruan një nga natyrat më të paprekura në Shqipëri!

Pjesa më e madhe e sipërfaqës së Lumit të Gashit është thuajse terësisht e mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pjesa tjetër është e mbuluar me pyje halorë. Në anën tjetër rrjedha e pandalshme e shumëvjeçare e ujit të këtij lumi e ka ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe të marrë jetë nga ai.

Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqejtë akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët i dhurojnë gjithë zonës një pamje përrallore.

Në këtë zonë ndërthuren mjaft bukur pamjet e mrekullueshme, të cilat të sinkronizuara në harmoni me njëra- tjetrën, krijojnë më pas panoramën që secili turist do të dëshironte të shikonte me ardhjen e tij në Shqipëri. Pamjet mbresëlënëse që ky vend ka në të gjithë gjatësinë e tij, shoqërohen nga një larmishmëri pemësh që të shtojnë edhe më shumë dëshirën për ta vizituar dhe parë më nga afër.

Për të vizituar këtë mrekulli natyrore duhet ndjekur rruga automobilistike nga Bajram Curri në fshatrat Qerem, Torkuz dhe Dobërdol. Rruga zgjat dyzetë e pesë minuta me makinë dhe pastaj duhet të përshkohet në këmbë një shteg që të dërgon deri te Lumi i Gashit.