“Xhubleta”, tipologjia e veshjes më të vjetër në botë, ndër thesaret më të çmuara të kombit tonë.
Për të lundruar më shumë në thellësinë e kësaj pasurie kthyer në kryesimbol të Nënës Shqipëri, që i tejkalon përmasat e një veshjeje të zakonshme kombëtare, Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, IETT, organizoi një takim me autoren Luljeta Dano, Drejtore e Qendrës Antropologjike XHUBLETA.
Takimi u hap me përshëndetjen e Drejtoreshës së IETT-së, Prof. Dr. Nevila Nika, e cila uroi të pranishmit për mirëseardhjen dhe njëherësh theksoi rëndësinë që ka për ne kjo veshje kaq e moçme.
Gjatë fjalës së saj, znj. Dano solli të dhëna mbi veçoritë e veshjes më të lashtë shqiptare të ruajtur deri më sot, setin madhështor të stolive të saj me funksion të lartë kultik, si dhe gjurmë historie nga argjendaria shkodrane.
Nga simbolet kryesore në dekorimin e Xhubletës që u shqyrtuan në kumtesë janë: simboli i dy shqiponjave të Zeusit, zvastika diellore, gjethet e lisit, motive tē tjera pagane dhe kristiane, filigrama të punuara me art e me motive të larmishme floreale, pullat e Xhubletës, stolitë e bukura të punuara me bakër/serm/argjend dhe me larje ari, të cilat përveçse i japin kësaj veshjeje një pamje të veçantë, tregojnë edhe gjendjen shoqërore të gruas që e bartte, si dhe shumë hollësi të tjera.
Në fund të takimit, të pranishmit u përfshinë në bashkëbisedim rreth trashëgimisë sonë kombëtare. Ata shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me gjendjen e saj sot, si dhe dhanë mendime, çfarë mund të bëhet për ta ruajtur e trashëguar këtë pasuri kombëtare për brezat e ardhshëm.