IETT në bashkëpunim me Interpret Europe, IE, organizuan një leksion të hapur rreth interpretimit të trashëgimisë.
Gjatë prezantimit të saj, Daniela Ruci, biologe dhe Guidë Interpretative e çertifikuar nga IE, theksoi rëndësinë e përfshirjes së kësaj dukurie nga udhërrëfyesit përgjatë shoqërimit të vizitorëve në vende të ndryshme në Shqipëri.
Udhërrëfyesit interpretues në të gjithë botën ndajnë së bashku përkushtimin për të frymëzuar pjesëmarrësit përmes trashëgimisë së tyre, duke i përfshirë ata emocionalisht me vendet që vizitojnë, me objektet që shohin dhe prekin, me natyrën, muzetë, parqet arkeologjike etj.
Vizitorët do të largohen nga udhëtimi i tyre duke marr me vete një histori, një ndjesi për secilin vend të vizituar. Ata do e përcjellin më pas gjithë përvojën e tyre, te familjarët, miqtë, shokët, të cilët padyshim do të duan ta përjetojnë të njëjtën eksperiencë. Kjo është fuqia dhe rëndësia e interpretimit.
Nëpërmjet një shembulli konkret, Daniela arriti të përfshijë pjesëmarrësit në këtë takim në interpretimin e një objekti që mbarte një histori të së kaluarës.
Interpretimi i trashëgimisë, është një qasje e re, që luan një rol kyç në drejtim të të mësuarit të së kaluarës për ta përçuar atë te brezat e ardhshëm.