Prodhimet e artizanatit të sotëm kuksian, janë në  listën e traditave shekullore që datojnë nga koha Ilire. Është shumë e lashtë tradita e poçarisë, e cila në rrethanat e sotme mund të konsiderohet e zhdukur. Edhe gdhendja e gurit, drurit, punimi i hekurit kanë qenë përdorur gjerësisht dikur për zbukurimin e shtëpive, duke filluar që nga periudha e mesjetës e në vazhdim.  Por edhe këto janë profesione thuajse të zhdukura.

Artizanati i punëve te dorës

Punët e dorës së grave janë ato qe më së shumti i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme. Qilimat e sixhadet e prodhuara nga gratë kuksiane janë të një cilësie të lartë, të bukura dhe të preferuara në tregun vendas dhe të huaj. Janë karakteristike dhe të lashta, motivet popullore që përdoren në prodhimin e qilimave dhe sixhadeve me kombinime shumëngjyrëshe me shije të hollë artistike, të cilat nuk mund të gjenden në asnjë zonë tjetër në Shqipëri.
Një vend të rëndësishëm në punët e dorës së grave zë edhe përgatitja e kostumeve tradicionale popullore. Kostumet popullore, sidomos të grave, shquhen për bukurinë dhe elegancën e tyre. Ato janë unike në llojin e tyre. Larmishmëria e kostumeve të grave, është aq e madhe sa brenda rrethit të Kukësit, ato ndryshojnë njëra     nga tjetra. Kostumet e burrave janë të gjitha të punuara nga shajaku.

Artizanët në Kukës

Flutura Elezi, artizanja e prodhimit te sixhadeve në Kukës, e ka mësuar zanatin që në moshë të vogël nga nëna e saj dhe me të mbaruar klasën e tetë, ka filluar punë në artizanatin e Kukësit.