Xhami e E’them beut është monument kulture e kategorisë së parë që prej vitit 1949 dhe është e vetmja ndër xhamitë e shekullit XVIII-XIX të ndërtuara në Tiranë që i ka mbijetuar stuhisë shkatërrimtare të regjimit komunist mbi objektet e kultit.
Xhamia pavarësisht kohës ruan ende shkëlqimin e një ndërtese tërheqëse. E veçanta e saj qëndron te dekoret, ku 700 metra katrorë është e tëra e pikturuar me dorë të lirë.
Godina është ruajtur deri në ditët tona në gjendjen origjinale, pa ndërhyrje që mund ta kishin transformuar pamjen e sotme. Ajo përbëhet nga salla e lutjeve, portiku në veri dhe në lindje të saj, si dhe minarja. Arkitektura e saj është pjesë e turizmit kulturor në Tiranë dhe të impresionon me harqet, minaren, dritaret e shumta, sallat e brendshme, kubenë, shkallët dhe fasadat e pikturuara hijshëm.
Edhe punimet e drurit në sallat e brendshme të lutjeve janë të pasura në ornamente dhe forma gjeometrike të stilizuara mjaft mirë, duke reflektuar elegancë në të gjithë kompleksin e besimit islam.
Portiku është i shtruar me gurë që besohet se e kanë origjinën nga rrethinat malore të Tiranës. Shkallë të padukshme nga jashtë të udhëheqin drejt kupolës dominuese me veshje gri, mbi çatinë me tjegulla balte. Gjatë orëve të mbrëmjes ndriçimi i dedikuar i xhamisë krijon harmoni ngjyrash dhe formash interesante në sheshin “Skënderbej”, ku dhe dallohen me sy të lirë vizatimet e jashtme të kësaj xhamie.