Një prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit të Durrësit është xhamia Fatih, objekti më i vjetër i kultit islam në këtë qytet dhe xhamia e tretë më e vjetër në Shqipëri, pas asaj të Beratit dhe të Korçës.
Ajo është ndërtuar në vitet 1502-1503 mbi rrënojat e një bazilike.
Kjo xhami shquhet për ngjyrat, arkitekturën, si dhe dekorimet e brendshme. Nga rrënojat e bazilikës mbi të cilën është ndërtuar janë ruajtur pak mure me tulla, pjesërisht arkada veriore dhe muri perëndimor i rindërtuar me teknikën e Kluasonazhit, që i takon shek. XIII- XIV. E ndërtuar me stil të veçantë, pjesa e sipërme përbëhet nga çati me tjegulla dhe jo kupolë, siç jemi mësuar të shohim në xhamitë e tjera.
Në vitin 1967, xhamisë iu shemb minarja nga sistemi komunist dhe u kthye në magazinë të përkohshme deri në vitin 1973, vit në të cilin mori statusin Monument i Trashëgimisë Kulturore.
Është interesante të mendosh se ka me shekuj të tërë që besimtarë myslimanë falen në ambientet e kësaj xhamie, e cila për fat i ka rezistuar kohës si dhe sistemit të diktaturës komuniste, kur u ndalua me ligj veprimtaria e të gjitha institucioneve fetare.
Vendndodhja e xhamisë së Fatihut pranë brigjeve të detit Adriatik dhe Murit Bizantin, Amfiteatrit më të madh në Ballkan dhe Muzeut Etnografik, i jep asaj vlerë të veçantë në një kompleks monumentesh mjaft tërheqëse për vizitorët e shumtë të qytetit të Durrësit.