Ishte viti 1938, kur në Durrës u përurua “Xhamia e Madhe” ose “Xhamia e Re”, që asokohe ishte xhamia më e madhe në Ballkan pas xhamive të Turqisë.
Arkitektët e projektit ishin italianë dhe ishte zgjedhja e tyre që arkitektura të respektonte nga një anë traditën islame, por në anën tjetër të integroheshin dhe kolonat tipike antike, që nderonin të shkuarën e Durrësit.
Me fillimin e diktaturës komuniste, në vitin 1967 xhamia u mbyll në rolin e saj si institucion i besimit fetar dhe u kthye në një qendër kulturore të quajtur “Pallati Rinia”. Aty ku sot ndodhet holli kryesor, u vendos skena ku luhej muzikë dhe estradë, tek sa kati i dytë u kthye në restorant, të cilit i ishte bashkangjitur dhe veranda.
Xhamia është e rikonstruktuar nga shoqatat arabe në vitin 1994, në veçanti brenda përbrenda sipërfaqes së saj. Ana e jashtme e ka ruajtur origjinalitetin e konstruksionit të saj të vjetër. Ndërsa nga brendësia e xhamisë së vitit 1938, sot kanë mbetur të njëjta vetëm 6 shtylla me ngjyrë kafe mermeri, të cilat janë lehtësisht të dallueshme sapo hyn në xhami.
Kjo xhami është më e madhja në Durrës, ndaj dallohet nga të gjitha pikat e qytetit. Ajo ndodhet në lagjen nr. 2 Durrës, me një sipërfaqe 1319 metro katrore dhe sipërfaqe trualli 1776 metro katrore.