Burimet termale të Bënjës janë një fenomen i rrallë natyror me efekte shumë të larta kuruese. Ato ndodhen 14 km larg qytetit të Përmetit, në komunën Petran.

Në këtë vend dalin katër burime termale që trajtojnë problemet e reumatizmës dhe dy të tjera, një për të gjitha problemet e lëkurës si dhe një tjetër për shëndetin e stomakut. Pra, janë gjashtë burime gjithsej dhe dy prej të cilave kanë sipërfaqe më të madhe, ndodhen te këmbët e Urës së Katiut, kurse burimet e tjera janë vaska prej guri.

Banjat janë kthyer në një destinacion gjithëvjetor për ata që shfrytëzojnë ujërat burimor me ngarkesë të lartë squfuri dhe me veti tepër kurative. Ujërat kurojnë disa sëmundje dhe janë mjaft të vizitueshme sidomos në periudhën e verës kur arrihet pika më e lartë e frekuentimit, por edhe gjatë stinëve të ftohta, kur temperatura zbret në 0 gradë. Ju mund hyni në vaskat e gurit të mbushur me ujë të nxehtë prej natyrës.

Ujërat janë studiuar nga pikëpamja analitko – shkencore dhe nga përmbajtja kimike, ku rezultojnë të jenë ujëra si burime sulfate, me përmbajtje të lartë sode bicarbonate. Sipas studiuesve, këto burime janë të veçanta, jo vetëm se janë ujëra të nxehta, por ato kanë në përmbajtje substanca minerale të tretura me veti të mëdha terapeutike.

Temperatura e ujërave të këtyre burimeve të hapura natyrore lëviz nga 26 deri 32 gradë celcius.

Ju mund të kaloni momente të paharrueshme në këtë mrekulli natyrore, jo vetëm në burimet termale, por të shijoni perreth banjave peizazhin e bukur natyror pranë lumit Lengaricë vetëm për avneturë dhe kënaqësi.

Eja edhe ti!