Ky konkurs pati si qëllim nxjerrjen në pah të bukurive dhe vlerave të vendit tonë nëpërmjet objektivit të një aparati fotografik. IETT me mbështetjen e UBA Bank, Universitetit CIT dhe Shtypshkronjës “Mileniumi i Ri” organizoi me sukses konkursin e fotografisë me temë: “Pasuritë e Shqipërisë”. Konkursi ishte një përpjekje modeste për të nxjerrë në pah bukuritë dhe vlerat e vendit tonë nëpërmjet objektivit të një aparati fotografik” – tha në fjalën e tij Drejtori i IETT, Assoc. Prof. Dr. Ramiz Zekaj. Në vijim, prof. Zekaj falënderoi pjesëmarrësit, të gjithë ata që kishin dërguar fotografitë e tyre në këtë konkurs, mbështetësit dhe organizatorët.
Një falënderim i veçantë u përcoll edhe për jurinë e këtij konkursi: Kryetarin e jurisë, z. Buron Kaceli, mjeshtër i madh; Z. Zamir Marika, fotograf profesionist i monumenteve të kulturës dhe Z. Adnan Hyka, fotograf profesionist i monumenteve arkeologjike, të cilët me durim dhe profesionalizëm kaluan me qindra foto të ardhura për këtë konkurs, për të përzgjedhur më të mirat.
Me rastin e këtij eventi, Prof. Dr. Valter Shtylla, specialist i trashëgimisë kulturore & kryetar i Bordit Drejtues të IETT, mbajti ligjeratën me temë:
“Arti Fotografik dhe Trashëgimia Kulturore”, duke treguar rëndesinë që ka fotografia në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Më pas kryetari i jurisë, Z. Buron Kaceli ftoi fituesit duke i dorëzuar çmimet përkatësisht:
Fitues i çmimit të parë, Livia Xhaferri, me foton “Maja e Vajushës, Lëpushë”, me motivacionin:
Një peisazh i kompozuar bukur, me dritëhije, forma të qarta, ngjyrë dhe thellësi fokale. Foto simbol i alpeve shqiptare.
Zj. Livia iu dhurua një udhëtim 5-ditor në Stamboll.
Fitues i çmimit të dytë, Pandeli Çeço, me foton “Kulla e Sahatit, Gjirokastër”, me motivacionin:
Një foto e veçantë, me qëndrim prej fotografi profesionist, me kërkesë për kompozim të bukur dhe origjinal. Një foto e pakonsumuar.
Z. Pandeli iu dhurua një Samsung Galaxy Qaud Camera A13.
Fitues i çmimit të tretë, Joni Margjeka, me foton “Liqeni i Shkodrës”, me motivacionin:
Një foto artistike që dallon për poezinë e saj. Një moment lirik me transparencë estetike dhe ndriçim të këndshëm. Shprehet bukur marrëdhënia e njeriut me natyrën.
Z. Joni iu dhurua një Fuji Instax Mini 11 Bundle Box.
IETT në fokus të saj përveç të tjerave, ka promovimin e vlerave dhe traditave shqiptare që pa diskutim janë pasuri kombëtare.